Koncepti i veprës “Bukurshkrimi” – Adrian Paci
Në veprën e tij Adrian Paci shpesh trajton temën e kujtesës, të nostalgjisë dhe të ndarjes, përmes krijimit të një imazhi angazhues të formës vazhdimisht të ndryshueshme të jetës dhe të artit. Kjo vepër është e para ndër disa, pjesë e një projekti të HARABEL që ka si qëllim vendosjen e publikut në ndërveprim të afërt me mendimin bashkëkohor dhe krijimin e një dialogu të hapur mes hapësirës urbane dhe artit.
“Bukurshkrimi” është një punë që është menduar për tu vendosur në një hapësirë publike në Tiranë. Dy ministri i qëndrojnë anash, përballë ka Katedralen Ortodokse, nga ana tjetër e Bulevardit qëndron Teatri Kombëtar. Ndërkohë, duket sikur marrëdhënien më intime puna e ka me një pemë që qëndron në mes të këtij sheshi të vogël. Vepra daton në vitin 2020, por vjen si dëshmi e një reflektimi mbi një eksperiencë të fëmijërisë. Një bankë shkolle, dy fletë bronzi të mbështetura mbi të. Mbi fletën e pare disa shënjime fëmije, të cilat ende nuk janë fjalë, por pikënisje e një artikulimi të ardhshëm. Mbi tjetrën lexohen të shkruara bukur disa fraza: “Tirana është kryeqyteti ynë”; “Në Tiranë jetojnë udhëheqësit tanë të dashur”; “Tirana po zbukurohet dita-ditës”. Viti i shkrimit 1975, ndërkohë që vepra e artit vjen sot, si një gjurmë e reflektimit të mëvonshëm.
Vepra hulumton së pari marrëdhënien e pushtetit politik me gjuhën si mjet manipulimi, por vjen gjithashtu si reflektim i vetë pushtetit të gjuhës, e cila është në thelb një bashkësi kodesh që marrin kuptim përmes përmbajtjes, që i zgjeron apo i ngushton mundësitë e ligjërimit.
Dy fletët mbi bankë rrinë si dëshmi të dy momenteve të ndryshme në kohë; një para e një mbas. Shenjat e pakodifikuara të fletës së parë shoqërohen në fletën e dytë me momentin “mbas”, ku frazat e shkruara bukur mbartin të gjithë peshën e deformimit propagandistik të asaj që në fletën e parë na shfaqet si potencialitet fillestar. Fleta me gjuhën si territor i mundësisë dhe fleta me gjuhën si territor i propagandës mbështeten në një bankë shkolle për fëmijë. Në hapsirën mes njerës fletë e tjetrës, sfumaturat e mbivendosjet mund të jenë të shumta, ashtu si të shumta mund të jenë sfumaturat mes kësaj pune të vogël dhe qytetit përreth me shenjat dhe shprehjet që artikulohen përditë mbi hapësirën e tij urbane.
https://harabel.com.al/
