Shkodra Elektronike, duoja Shqiptare me bazë në Milano, tashmë e njohur për përpunimet e ndryshme të muzikës folklorike e qytetare Shkodrane publikon videon e këngës “Synin si qershia”. Kënga e Prenk Jakovës me tekst të Zef Zorbës është bazuar në interpretimin e Nikolin Gjergjit nga ku varianti i sotëm ka kampionuar dhe pjesën hyrëse.
Videoklipi është xhiruar në një dasëm Shqiptare në Itali duke i qendruar kështu dhe konceptualisht stilit të tyre të cilin e quajnë “Immigrant Pop”.
Kjo është videoja e dytë e publikuar nga grupi, mbas “Ku e Gjeta Vendin”, i cili në dy vitet e fundit ka qenë mjaft i pranishëm në skena festivalesh dhe koncertesh në Shqipëri.
Debutimi i tyre në natën e pavionit të Shqipërisë dhe Kosovës në Bienalen e Venezias ishte një surprizë e jashtëzakonshme dhe një prezencë artistike tepër domethënëse duke marrë parasysh nivelin e lartë të përfaqësimit që ka ky eveniment.
Kjo perfomancë u ndoq një vit më vonë nga koncerti i tyre në Tunel Terracë organizuar me rastin e hapjes së ekspozitës “Prova” të artistit të mirënjohur Adrian Paci në Galerinë Kombëtare të Arteve. Viti 2020 e sheh grupin fitues të cmimit të kritikës në festivalin e këngës Shkodrane “Lule Borë” dhe më pas pjesëmarrës në edicionin e fundit të Zâ Fest në kalanë e Shkodrës.
Në vijim pritet që grupi të publikoj albumin e tij të parë i cili do të zgjerojë praninë dhe influencën artistike të Shkodra Elektronike në skenën tonë muzikore.
Dëgjo në Spotify
Dëgjo/ Shiko në Youtube
