I ftuari i rradhës në Radio Mi është artisti i ri Gruda, i cili së fundmi po zhvillon stilin e tij elektronik me një koncept të ri duke eksploruar një rrëfim intertekstual që mbështetet në tonet dhe ngjyrat e mondanitetit Italian sipas “La Grande Bellezza” të Sorrentinos. Rezultati është një përzierje që ndërthur dialogun italian të filmit dhe zhanrin Dub House.
Veçantia e këtij Mixi gjëndet në përdorimin e dialogut të huazuar nga La Grande Bellezza. Fragmentet e zgjedhura shfaqen në mënyrë kronologjike ashtu si në film, duke i dhënë mixit një strukturë të fortë narrative. Ritmi zhvendosës i miksit imitohet përmes dialogut, i cili depërton përmes ndërlikimit dhe zgjidhjes së rrëfimit të filmit me një atmosferë shoqëruese të muzikës elektronike.
Përmes efektit të tingullit Dub, syntheve të përsëritura e te zhvilluara dhe melodive në distancë, të rënda me reverb dhe delay, Gruda synon të tërheqë ngadalë vëmendjen e dëgjuesit duke krijuar tension pozitiv e duke shpërthyer me vibrime energjike.
Ju ftojmë ta dëgjoni këtë produksion të veçantë sot, ora 21:00 në www.radiomi.al
